.
Published On: Thu, Mar 6th, 2014

Konferenca e Donatorëve, gati 40 projekte

Share This
Tags

komuna-gjkGjakovë- Mbi 40 projekte nga më të ndryshmet pritet të prezantohen para institucioneve e kompanive zhvillimore ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja, në Konferencën e Donatorëve për Gjakovën, të cilën komuna do ta organizojë me 13 e 14 mars.

Në këtë aktivitet, të parin të këtij lloji në Kosovë, qeverisja lokale ka përgatitur mbi 20 projekte të ndryshme, ndërsa mbi 20 të tjera janë dorëzuar nga shoqëria civile dhe kompani e biznese të ndryshme lokale.

“Pothuajse jemi në fazën e fundit të përmbylljes së projekteve, e po ashtu edhe organizimit të vetë konferencës. Gjatë këtyre dy muajve të kaluar kemi pasur shumë kontakte me ambasadat e huaja dhe organizatat zhvillimore që veprojnë në Kosovë, nga të cilat kemi siguruar mbështetje për projektet tona dhe organizimin e konferencës. Mund të them me bindje se ka një vullnet të mirë të donatorëve dhe të ambasadave të huaja për të na ndihmuar dhe sinqerisht presim që të kemi përkrahje për një numër të madh të projekteve tona”, ka thënë për gazetën kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.

Duke folur për numrin dhe llojin e projekteve të përgatitura, Kusari-Lila ka thënë se ato vijnë nga sfera të ndryshme të jetës, por që qëllim të përbashkët e kanë zhvillimin lokal dhe krijimin e një jete më të mirë për banorët e komunës së Gjakovës.

“Unë mund të flas vetëm për projektet e përgatitura nga komuna, të cilat deri në fillim të konferencës mund të arrijnë në 20 sosh. Ne i kemi ndarë ato në katër sektorë, konkretisht në projektet e infrastrukturës, ato të zhvillimit ekonomik, të rinisë dhe kulturës si dhe projektet e shërbimeve komunale. Në projektet e infrastrukturës hyjnë rregullimet apo përfundimet e rrugëve, sistemeve të ujësjellësit e kanalizimit në të gjitha ato lokacione ku nuk ekzistojnë, por projekti më i madh i këtij sektori është projekti për digën e Ponoshecit, në kuadër të së cilës përfshihen edhe dy hidrocentraleve, një ide kjo e hershme në Gjakovë.

“Gjithashtu është një projekt për ndërtimin e katër shtëpive komunale në katër rajonet e komunës, të cilat do të ndihmonin në decentralizimin e shërbimeve të komunës. Në kuadër të investimeve në katër rajonet e Gjakovës, kemi projekte edhe për ndërtimin e katër shtëpive të kulturës, katër bibliotekave por, mbi të gjitha, projektin më të rëndësishëm për themelimin e katër pikave grumbulluese për bujqësi e blegtori”, ka shpalosur disa nga projektet e gatshme kryetarja Kusari-Lila.

Në kuadër të projekteve infrastrukturore, Kusari-Lila ka përmendur projektin për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së dhe ndërmarrjes për pastrim “Çabrati”, ndërsa në kuadër të projekteve për efiçencën e energjisë, Kusari-Lila ka thënë se do të konkurrojnë me projektet për restaurimin e tërësishëm të objektit të administratës komunale dhe të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.

Në kuadër të projekteve për zhvillimin ekonomik, Kusari-Lila ka përmendur krijimin e fondit të granteve për mikrondërmarrjet, grantet për bujqësi dhe grantet për artizanatet. Ndërsa projekte tjera me shumë rëndësi për Gjakovën, janë vazhdimi dhe përfundimi i revitalizimit të Çarshisë së Vjetër, ndërtimi i tregut të gjelbër dhe atij të bulmetit, me standarde të BE-së, si dhe rregullimin e ujërave të zeza, konkretisht kanalizimit që derdhet në lumin “Krena”.

Për realizimin e të gjitha këtyre projekteve, Kusari-Lila ka thënë se e kanë pasur përkrahjen e shumë vullnetarëve, përfshirë arkitektë dhe profesionistë tjerë të fushave konkrete./zeri/