.
Published On: Fri, Mar 21st, 2014

Konferenca e Donatorëve, ja kur priten të realizohen projektet e para

Share This
Tags

gjakova-donatoretGjakovë- Konferenca e Donatorëve për Gjakovën e cila i zhvilloi punimet e saj javën e kaluar në Gjakovë, përfundoi me përshtypje e vlerësime të mira, të paktën për nivelin e organizimit dhe paraqitjen para donatorëve.

Por qytetarët e Gjakovës dhe jo vetëm ata, tashmë janë të interesuar të dinë se çfarë do të ndodhë pas kësaj konference. Sa realisht do të përfitojë komuna e Gjakovës nga kjo konferencë, apo thjesht i tërë ky aktivitet dy ditor do të dalë vetëm një marketing politik i kryetares Kusari–Lila, ashtu siç po pretendojnë partitë opozitare.

Lidhur me këtë, kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari–Lila ka thënë se Konferenca dhe projektet e prezantuara në të janë pritur shumë mirë nga donatorët, ndërsa ka premtuar rezultatet e para të tërë kësaj do të shihen shumë shpejtë.

Ajo ka thënë se projektet e para do të fillojnë të realizohen në pjesën e dytë të vitit 2014, ndërsa deri në fund të vitit 2015, do të kenë përfunduar apo të do të fillojnë së realizuari rreth 70 për qind nga rreth 50 projektet e prezantuara në këtë konferencë.

Kusari–Lila ka thënë se me shumicën prej organizatave zhvillimore, pjesëmarrëse në konferencë, ka pasur kontakte të vazhdueshme edhe në të kaluarën me ç’rast edhe u ka prezantuar disa nga idetë e saj dhe të qeverisjes lokale për Gjakovën, ndërsa është vërejtur disponimi i mirë për përkrahje të këtyre projekteve./radiogjakova/