Kremtohet festa e Krishtlindjes
Besimtarët e besimit të krishterë nesër e pasneser kremtojnë festën e Krishtlindjes . “Kërshëndellat” festohen çdo vit mes 24 e 25 dhjetorit me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Plakut të Vitit të Ri në mëngjesin e Krishtlindjes. Kjo është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.
Deri sa jemi në vigjilje të festës së Krishtlindjeve dhe asaj të Vitit të Ri, fshati Pjetërshan i cili gjendët pak kilometra larg qytetit të Gjakovës ka marrë pamjen e një vendi përrallor. Ndriçimi dhe rregullimi i këtij fshati për festat e fund vitit tanimë është bërë një traditë e përvitshme nga banorët e asaj ane. Të rinjtë e fshatit Pjetërshan dhe fshatrave për rreth, kanë arritur që ta kryejnë një punë të mrekullueshme në rregullimin dhe ndriçimin e fshatit, duke e shndërruar këtë vend si vendin e dekoruar më së bukuri në Kosovë për festa të fund vitit.
Me rastin e Krishtlindjeve në shenjtëroren e shën Ndout në Gjakovë sot në orën 17:00 kremtohet Mesha Shenjte si dhe do të bëhet bekimi i shtatores së Nënë Terezës që gjendet në oborrin e kësaj kishe.