Kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila uron qytetarët me rastin e ditës së çlirimit
Me rastin e 14 qershorit, ditës së çlirimit të Gjakovës, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila ka dërguar një mesazh urimi për të gjithë banorët e komunës sonë. Mes tjerash, në urimin e kryetares thuhet: Me 14 Qershor, ne kuptuam se si tejkalohet kufiri në mes jetës dhe vdekjes, ne dëshmuam se vizioni dhe shpresa për liri ishin më të mëdha se sa vetë jeta.
Ju bashkëqytetar, bëtë një luftë heroike, një luftë të drejtë, një luftë me shumë sakrifica, me shumë gjak të derdhur, me shumë humbje për Gjakovën. Kurrë s’do harrohet sakrifica e të rënëve për liri dhe qofshin përjetë të nderuar në panteonin e dëshmorëve dhe martirëve te këtij kombi kaq të vuajtur. 15 vite pas, Gjakova ende ka shumë plagë, shumë sfida, por edhe shumë mundësi.
Uroj që bashkë, Gjakovës t’ia rikthejmë shkëlqimin e lirisë përmes zhvillimit dhe perspektivës së ndritur, përmes punës dhe angazhimit të mirëfilltë. Qershorin e ardhshëm do kemi edhe shumë arsye të tjera ta festojmë dinjitetshëm dhe ti bëjmë krenar për Gjakovën, të ndriturit që falën gjakun, familjet e tyre dhe gjeneratat e reja”, përfundon mesazhi i urimit, i kryetares Kusari – Lila.










