.
Published On: Tue, Nov 8th, 2016

Kryetarja Kusari-Lila viziton zonat e rrezikuara nga vershimet

Share This
Tags

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, sot ka qëndruar në fshatrat e Rekës së Keqe dhe në disa lagje të qytetit të Gjakovës, zona këto të cilat kanë pasur probleme me vërshimet e ujit gjatë dy ditëve të fundit. Kryetarja Kusari – Lila fillimisht ka qëndruar në fshatin Shishman, ku si pasojë e reshjeve është dëmtuar dhe është bërë e pakalueshme ura mbilumin “Ereniku”, urë kjo e cila lidhë mes vete dy pjesët e këtij fshati. Si pasojë e dëmtimit të urës, banorët e mbi 30 shtëpive të fshatit Shishman, tashmë kanë mbetur të të izoluar dhe pa qasje në rrugën magjistrale. Më tej, Kusari – Lila e ka vizituar edhe “Urën e Musë Imerit” në mes të fshatrave Smolicë – Popoc, urë kjo në kuadër të magjistrales Gjakovë – Junik, e cila është tejet e rrezikuar si pasojë e fryrjes së lumit “Ereniku”. Kjo urë është duke u mbikëqyrur nga ekspertët e komunës së Gjakovës, ata të ministrisë së Infrastrukturës si dhe nga pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët janë duke e analizuar situatën dhe duke e vlerësuar shkallën e rrezikshmërisë. Kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka vizituar edhe disa familje në fshatin Ponoshec dhe disa të tjera në afërsi të Fabrikës së tjegullave në Dardani, të cilët gjatë natës së mbrëmshme kanë pësuar nga fryrja e lumenjve “Lubenica” dhe “Krena”. Duke folur me banorët e dëmtuar nga vërshimet, kryetarja Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se komisioni përkatës komunal shumë shpejtë do të dalë në teren për ta bërë vlerësimin e dëmeve dhe pastaj edhe do të gjenden mundësitë për kompensimin, përkatësisht ndihmën e këtyre banorëve. Nga ana tjetër, sa i përket dëmtimit të dy urave, kryetarja Kusari – Lila ka thënë se duhet të kërkohet ndihmë tek qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria e Infrastrukturës, për faktin se komuna nuk ka mjete të mjaftueshme për riparimin e këtyre urave. Në përgjithësi, kryetarja Kusari – Lila ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e krijuar, një situatë e cila lehtësisht ka mundur të evitohej nëse faktori njeri do të kishte më shumë respekt dhe kujdes për ambientit e konkretisht për shtretërit e lumenjve, si njëri prej faktorëve kryesor që po ndikon në krijimin e këtyre përmbytjeve. Sipas saj, shkatërrimi i shtretërve të lumenjve si pasojë e eksploatimit të paligjshëm dhe, fatkeqësisht, të pandëshkuar nga qeveria e Kosovës, tashmë disa herë po ndikon që të kemi përmbytje të tilla. Kusari – Lila ka apeluar edhe një herë tek qeveria dhe tek ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor që të ndërmarrë hapa konkret në ndërprerjen e eksploatimit të zhavorrit dhe uzurpimit të shtratit të lumit, sepse nëse një gjë e tillë nuk ndodhë së shpejti, atëherë pasojat do të jenë shumë më të rënda në vitet e ardhshme.