Kujtohet përvjetori i bombardimeve të NATO-s
Sot (e hënë) bëhen 16 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 Marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë në mend si natën më të gjatë dhe më të llahtarshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë së pa mbrojtur civile, në shenjë hakmarrje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra qytetar të pa fajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, kalljet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare. Sot ato ditë kujtohen me ankth e dhembje për viktimat e humbura, por me mburrje e krenari për fitoren e arritur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me aleatët e NATO-s ndaj regjimit fashist të Millosheviqit.
Sot Gjakova po ndërton të ardhmen e re demokratike në truallin e sajë të lirë, duke mos harruar për asnjë çast të kaluarën e hidhur dhe dëshmorët e martirët e sajë, që u bënë themel i Kosovës së lirë dhe të pa varur. Me rastin e përvjetorit të 16-të të rënies së viktimave të para të terrorit serb në Gjakovë, sot një delegacion i Kuvendit të komunës ka vizituar varrezat e martirëve ku janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule. /radiogjakova/