Kultura, një hap më afër sponsorizimeve nga bizneset
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka finalizuar edhe hapin e fundit në raport me Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë e sportit.
Me këtë hapen dyert që bizneset të mund të mbështesin financiarisht këto fusha e të lirohen prej tatimit për shumën që ndajnë.
Ministri Gashi nënshkroi vendimin për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorizime.
Sipas njoftimit të ministrisë, komisioni në punën e tij do të ketë të gjitha përgjegjësitë që do të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve zyrtare dhe të sigurojë zbatimin e plotë të akteve normative që e rregullojnë çështjen e sponsorizimit, si Ligji dhe Rregullorja për përcaktimin kritereve, procedurave, dhe formës për vërtetimin e sponsorizimit.
Ministria e Kulturës do të zhvillojë aktivitete të karakterit informativ e sensibilizues sa i përket mundësisë së sponsorizimit të ngjarjeve kulturore, rinore e sportive.
Me anë të këtij ligji, bizneset kanë të drejtë që deri në 20% të fitimit vjetor ta japin si sponsorizim për aktivitete të këtyre fushave e të mos tatohen për këtë shumë.