Kusari-Lila: 24 Marsi, data e fillimit të një epoke të re për Kosovën
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila me rastin e përvjetorit të 16-të të bombardimeve të NATO-s ka thënë se 24 Marsi paraqet ditën e shpresës së re për Kosovën, ku me falenderime për SHBA-të, NATO-n dhe vendet e BE-së, kjo datë kujtohet edhe si ditë e fillimit të një epoke të re.
“Pranverat na gjejnë gjithmonë me kokën pas duke kujtuar periudhat e lavdishme të cilat si komb çdo herë na bëjnë më të veçantë. I tillë mbetet edhe Marsi i vitit 1999, sidomos për banorët e Komunës së Gjakovës, të cilët krahas entuziazmit të shpëtimit nga sulmet ajrore të NATOS, u bënë cak i krimeve që kishte përgaditur armiku.
Megjithatë, përkundër plagëve që edhe sot për gjakovarët mbesin të hapura, dita e 24 Marsit paraqet ditën e shpresës së re për Kosovën, ku me falenderime për SHBA-të, NATO – n dhe vendet e BE-së, kjo datë kujtohet edhe si ditë e fillimit të një epoke të re.
Angazhimi me mundësi të reja zhvillimi, gjithësesi që do na bëjë më të denjë për kujtimin e Dëshmorëve të Kombit, Martirëve dhe viktimave civile të luftës, ashtu siq do të na bëjë më të përgjegjshëm ndaj obligimit të përbashkët që kemi në përmbushjen e lirisë me punë dhe mirëqenie për gjithë qytetarët.
Në mes lotëve dhe falenderimeve që sjell kjo datë me vete, bashkëndjejmë me shumë familje të Komunës tonë që kanë humbur më të dashurit e tyre, por gjithashtu kjo ndjenjë na bënë më të fortë që të kujdesemi më shumë për të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në deklaraten e Kusari-Lilës./radiogjakova/