.
Published On: Sat, Dec 13th, 2014

Kusari-Lila: Brenda dhjetorit hapen dy fabrika

Share This
Tags

mimoza-kryetareNë kohën kur kriza ekonomike po rritet çdo ditë e më tepër dhe kur sigurimi i një vendi pune është bërë mision mjaft i vështirë për banorët e komunës së Gjakovës, lajme të mira në këtë drejtim vijnë nga komuna e Gjakovës, konkretisht nga kryetarja Mimoza Kusari – Lila.

Në një deklaratë për Radio Gjakovën, Kusari – Lila ka konfirmuar se brenda muajit dhjetor në Gjakovë do të lëshohen në qarkullim dy linja prodhuese, të cilat sadopak pritet të ndikojnë në zbutjen e papunësisë. Sipas kryetares, e para është kompania suedeze “Troks” e cila tashmë po bën përgatitjet e fundit për fillimin e prodhimit të mbulesave të automjeteve, një projekt ky i bërë publik disa muaj më parë.

Kjo kompani që do të prodhojë mbulesa për makinat e tipit Volkswagen dhe Volvo, do ta nënshkruaj kontratën me datën 19 Dhejtor dhe vetëm një ditë më pas pritet të shpallet konkursi për punësimin e të paktën 40 banorëve të Gjakovës.

E dyta është kompania amerikane “Blue Stone Safety”, e cila prodhon uniforma pune, uniforma policore e ushtarake si dhe jelek anti-plumb. Kjo kompani tashmë e ka nënshkruar kontratën për investim në Kosovë dhe veçse është në përgatitjet e fundit për fillimin e punës./radiogjakova/