.
Published On: Mon, Jan 6th, 2014

Kusari-Lila: Falenderojë policinë, u evitua më e keqja

Share This
Tags

mimoza-1Gjakovë- Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka dal me një deklaratë pas përfundimit të potestës së qytetarëve gjakovarë që penguan pelegrinët serb të hyjnë në kishen ortodokse. Ajo ka falenderuar Policinë e Kosovës të cilët u kujdesen që të evitohet më e keqja.

Ajo ka shkruar se pelegrinët për herë të parë u penguan dhe per këtë ishte shkaktar ministri serb Vulin me provokimet e tij. Kusari-Lila ka shtuar se çdo njeri është i lirë të vizitojë kishen pa asnjë përcjellje policore vetëm nëse sillen ashtu si duhet dhe të rrinë larg deklaratave politike. Më poshtë shkrimi i plotë i Mimoza Kusari-Lilës./radiogjakova/

Të dashur qytetarë të Komunës së Gjakovës, 

Çfarë u paralajmërua mbrëme nuk ndodhi. Ministri i Serbisë nuk e vizitoi Gjakovën. Përkundrejt deklarimit të tij për të bërë një gjë të tillë, ai nuk kishte leje të vizitojë komunën tonë. MPB e Kosovës nuk e kishte lejuar të vinte në Gjakovë që nga 3 Janari.

Megjithatë, insistimi i tij për të ardhur bëri që qytetarët e revoltuar të ndalojnë edhe autobusët me piligrin dhe të mos i lejojnë as ata të hyjnë në kishë. Ishte hera e parë që piligrinët u ndaluan. Nuk ishte situatë e lehtë, por u evitua më e keqja. Shpreh falenderimin tim të veçantë për forcat e rendit dhe menaxhimin profesional të situatës nga ana e tyre.

I qëndrojmë besnik parimit të barazisë dhe demokracisë, të drejtës së të gjithëve për qasje të barabartë. Kushdo që dëshiron të vizitojë kishën ortodoksenë Gjakovë mund të vijë ta vizitojë, por jo të ngacmojë plagët e Gjakovës. Ata piligrin që duam të vizitojnë dhe të cilët e dijnë se nuk kanë qenë pjesëmarrës në krimet e të kaluarës mund të vijnë dhe nuk do të kenë nevojë as për përcjellje policore. Kisha si tempull fetar është dhe mbetet i hapur për të gjithë, por jo për deklarata politike.

Edhe Gjakova, sikur e tërë Kosova e sheh zgjidhjen e problemit përmes dialogut dhe mbesim të besimit se dialogu është zgjidhja e vetme, por jo gjuha nxitëse dhe provokimet. Vulin dhe të tjerët le ta kuptojë se nuk arrin asgjë me provokime, përkundrazi, më së shumti probleme do t’i sjellin popullatës serbe në Kosovë, ashtu sikur i sollën sot pelegrinëve.

Gjakova sikur e tërë Kosova ka nevojë për qetësi, për zhvillim dhe për respektim të drejtave të gjithëve dhe kjo është rruga që gjithmonë do ta ndjekim, me bazën në barazi dhe demokraci dhe rend e ligj.
Rruga e vetme e Kosovës është rruga drejt progresit, drejt integrimit Euro-Atlantik dhe fuqishëm e mbështesim dhe mbesim pranë kësaj kauze.

Sinqerisht,
Mimoza