Kusari-Lila: Harrojini mediet, jemi të vendosur për bustin e Hoxhës
Me inicimin e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, është mbajtur tryezë për figurën e Fadil Hoxhës, në të cilën kanë referuar veteranë të LANÇ-së dhe akademikë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Këtë tryezë e ka hapur kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, e cila në fjalën e saj ka thënë se “pas disa opinioneve dhe qëndrimeve te shprehura për caktimin lokacionit për ngritjen e lapidarit te Fadil Hoxhës, me inicimin tim kemi vendosur që të organizojmë ketë tryezë në mënyrë që të pranishmit që e kanë njohur figurën e Fadil Hoxhës dhe kanë sjellë edhe studime historike të elaborojnë më saktë kontributin e tij dhënë në periudha të vështira për kombin tonë”, tha ajo.
Kryetja Kusari-Lila tha se përkundër bujës mediale dhe tendencës që jetën dhe veprën e një figure siç ishte Fadil Hoxha ta interpretojnë në forma të ndryshme, Komuna mbetet e vendosur që të respektojë vullnetin e banorëve të komunës së Gjakovës që kanë për kontributin Fadil Hoxhës.
“Kujtojmë se ne kemi në dispozicion një peticion me 5000 nënshkrime për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës, numër ky që në asnjë mënyrë nuk mund te injorohet. Vendimi për ngritjen e shtatores është marrë nga Kuvendi Komunal në vitin 2013 me votat e shumicës së këshilltarëve të mandatit të kaluar dhe këtë vendim po e jetësojmë, pikërisht me përcaktimin e lokacionit për ngritjen e shtatores . Historia jemi ne , por jemi histori në vazhdim, jo e lindur prej nesh por si trashëgues te veprave të tjerëve qe ju paraprinë proceseve dhe ne e bëjmë vetëm nderimin për ato figura të dëshmuara që assesi nuk mund të kontestohen nga kontributi i tyre për çështjen kombëtare”, u shpreh Kusari-Lila.
Më pas,akademik Pajazit Nushi duke folur për figurën e Fadil Hoxhës ka thënë se Fadil Hoxha ka pasur 65 vite angazhime në politikë dhe gjithnjë ka qenë aktual në këtë fushë dhe ka pasur shkrime të ndryshme, shpjegime dhe vlerësime të cilat u përgjithësuan dhe dolën mbi ato vlerësime individuale. Sipas akademik Nushit, jeta dhe vepra e Fadil Hoxhës është aktualizuar dhe duhet të kujtojmë se në atë kohën në Kosovë idetë dhe aktivitetet ishin të pa-institucionalizuara, mbi nëntëdhjetë për qind të popullatës ishin analfabetë, Kosova ishte gjysmë-feudale dhe se Fadil Hoxha synonte çlirimin e përbashkët dhe bashkimin me Shqipërinë.
Vehap Shita, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-së, ka thënë se rreshtimi i Kosovës në bllokun antifashist ka bërë që Kosova të mos zbrazej dhe të pastrohej etnikisht sipas projekteve të Serbisë dhe të ndahej nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Po ashtu, ka shtuar Shita, nga Fadil Hoxha UÇK-ja është vlerësuar dhe çmuar si ushtri çlirimtare që me formimin e saj dhe jo si grupime terroriste që pandehnin ta etiketonin.
Zija Mulhaxha, nënkryetar i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-së për Fadil Hoxhën ka konstatuar se ka qenë “njeri shumë i madh, shumë modest. Gjithmonë ka folur për të tjerët, e jo për veten. Ka jetuar dhe vepruar me popullin e vet, për popullin e vet”.
Edhe akademik Jusuf Bajraktari nga këndvështrimi i tij historik ka pohuar se “duke spikatur të vërtetat e LANÇ-së, nuk ka qenë lineare por me interesa të ndryshme, përfshirë edhe ato të shovinizmit serb. Ndërkaq, njeriu, komandanti, luftëtari dhe politikani Fadil Hoxha dha kontribut historik 50 vjeçar që i ka tejkaluar edhe suazat kombëtare. Ndërkohë, luftonte shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi dhe deklarimin e tyre si turk. Këtë e dëshmon edhe vepra e tij simbolike ‘Jemi në shtëpinë tonë’ që tregonte se Fadil Hoxha ishte njëri prej intelektualëve të kohës duke dhënë kontributin e tij edhe në unifikimin e gjuhës letrare shqipe ndërsa moto e tij ka qenë ‘nga abetarja deri te universiteti dhe akademia e shkencave’”, tha ndër të tjera ai./radiogjakova/