Kusari-Lila: Ja synimet për 2015-ën
Viti 2015 do ta ketë një agjendë kryesisht ekonomike për komunën e Gjakovës. Kështu të paktën po pretendon kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se synimi kryesor dhe angazhimi i parë për vitin 2015 do të jetë ngritja e parkut të biznesit.
Sipas saj, kjo do të bëhet për faktin se ka shumë kompani të interesuara që të investojnë në komunën e Gjakovës. Por, përveç kësaj, Kusari – Lila ka premtuar se viti 2015 do të jetë vit i këndelljes së Gjakovës edhe në aspektin e investimeve dhe realizimit të projekteve të prezantuara gjatë vitit 2014, si në infrastrukturë ashtu edhe në arsim e shëndetësi.
Ajo ka përmendur një sërë projektesh madhore, që ose do të përfundojnë gjatë vitit 2015 ose do të fillojnë gjatë këtij viti. Në aspektin infrastrukturor, Kusari–Lila ka thënë se gjatë vitit 2015 do të ndërtohet rreth-rrotullimi në qendër të qytetit, ndërsa gjithashtu do të fillojë përgatitja e infrastrukturës për zgjerimin e rrugës në drejtim të Pejës, përfshirë këtu edhe procedurat e shpronësimit.
Kusari–Lila ka bërë të ditur se gjatë vitit 2015 do të fillojë edhe ndërtimi i parkingut në qendër të qytetit, afër platosë së Namazgjahut. Sipas saj është paraparë ndërtimi i objektit me pesë etazhe, tri prej të cilave vetëm për parkimin e automjeteve. Dy projekte tjera madhore që do të fillojnë së realizuari gjatë vitit 2015 do të jenë ndërrimi i lëndës së parë në Ngrohtoren e qytetit dhe impianti për trajtimin e ujerave të zeza të Gjakovës.
Gjatë vitit 2015, sipas Kusari–Lilës do të kryhet edhe investimi prej 1 milion euro i Komisionit Evropian për ndërtimin e objektit të ri të komunës së Gjakovës./radiogjakova/