Kusari-Lila: Jabllanoviç s’kërkoi falje, Mustafa të mos e shfajësojë
Pas deklarimit të “butë” të Kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me deklaratat e ministrit të tij, Jabllanoviç që ofendoi gjakovarët duke i quajtur “egërsira”, ka pasur një tjetër reagim i kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
E para e komunës ka thënë se Mustafa nuk duhet të shfajësojë ministrin e tij, por duhet të sigurohet që anëtarët e kabentit nuk duhet të bëjnë kësi deklarata të pamatura në të ardhmen.
Ndërsa, ajo ka thënë se Jabllanoviç, ashtu sikurse e kishte menduar, ishte totalisht i painformuar për Gjakovën, por i ka kujtuar se ende nuk ka kërkuar falje për atë që ka thënë. /radiogjakova/
Deklarata e plotë e Kusari-Lilës
Përtej komentimeve dhe reagimeve emocionale lidhur me deklaratën e Ministrit Jabllanoviç, deklarata e Kryeministrit Mustafa nuk duhet të tentojë të shfajësoj anëtarin e kabinetit të tij.
Kryeministri duhet të pranojë dobësinë e Qeverisë së sapoformuar dhe të jap shpresë se në të ardhmen në kabinetin e tij nuk do të ketë deklarata të tilla.
Në anën tjetër, Ministri Jabllanoviç, përkundrejt injorancës së shfaqur për mosdije (për çfarë supozuam në reagimin e Kuvendit Komunal ditë më parë), tregoi se nuk ndjen faj për çfarë ka thënë, por se shau vetëm individë të caktuar.
Supozoj se Ministri nuk e ka marrë raportin e policisë të dijë se kush e qëlloi autobusin; Ministri ka deklaruar në bazë të pamjeve të TV-së në të cilat kryesisht u shfaqen pamjet e nënave të pagjeturëve.
Prandaj, përtej injorancës politike, e lus ministrin mos të na fyej padrejtësisht.
Edhe një herë, Komuna e Gjakovës ashtu sikur kupton ushtrimin e të drejtës fetare, njejtë respekton edhe të drejtën e protestës dhe të paknaqësisë që shprehet në mënyrë demokratike, pasi kjo e drejtë i sigurohet qytetarëve edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Jemi të sigurt se protesta e thirrur për nesër do të jetë e qetë dhe me vlerat demokratike, e cila do të tregojë dinjitetin, dhimbjen dhe krenarinë e qytetarëve të Gjakovës dhe jo “egërrsinë”, për çfarë padrejtësisht u akuzuan.
Gjakova është krenare për bijët dhe bijat e rëna, për dëshmorët, martirët, veteranët, të pagjeturit dhe të gjithë sakrificën që e solli lirinë e Kosovës. Lirinë të cilën gjithë njejtë duhet ta gëzojmë.