Kusari-Lila: Qeveria të reflektojë, dhuna dëmton Kosovën
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ndjehet e trishtuar pas skensave të ndodhura në Prishtinë, në protestën e organizuar për shkarkimin e ministrit Jabllanovic.
Ajo ka apeluar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për situatën e krijuar. Kusari-Lila shprehet se askush nuk përfiton nga dhuna, ndërsa humb vetëm Kosova.
Reagimi i plotë i Kusari-Lilës:
E trishtuar nga skenat e sotme në rrugët e Prishtinës. Nga këto skena nuk shoh fitues dhe as hapësirë për ndjenjë komforti të Qeverisë së Kosovës.
Në këtë situatë nuk janë duke humbur ose fituar partitë politike, po humb Kosova në tërë brishtësinë e demokracisë së saj.
Qeveria të reflektojë seriozisht në pasojat e ditëve në vijim dhe të gjendet zgjidhja për qetësim të situatës aktuale.
Nuk mundet zgjidhja e problemeve të akumulluara të gjendet në rrugë dhe më dhunë. Në të kundërten, problemet do të vijnë dhe të thellohen me dhunën e shprehur.
Kosova ka nevojë për qetësi dhe vendime të cilat japin për zhvillim të shpejtë.