.
Published On: Wed, Jan 7th, 2015

Kusari-Lila: Sa herë flet Vulini përkeqësohen gjërat

Share This
Tags

mimoza-zyreKrahasimi i qytetit të Rakës (Raqqe-s) së Sirisë me Gjakovën, nga ana e ministrit të Punës, Punësimit dhe Çështjeve sociale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka shtyrë të reagojë edhe kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila.

Në një shkrim të publikuar në facebook, Kusari – Lila, e ka lutur Vulinin që të mos e përziej fenë me politikën, dhe se krahasimet që i ka bërë nuk janë fetare, por politike dhe historike.

Në këtë shkrim, Kusari – Lila, thotë se gjuha dhe krahasimet e Vulinit nuk i bëjnë më të lehta këto vizita, por i vështirësojnë.

Kusari – Lila, ka nxjerrë në shkrim një sërë faktesh, që Gjakova, qyteti që udhëheq ajo është multientik dhe respekton çdo fe e çdo rit fetar. Por, Kusari – Lila, thotë se është Vulini, ai i cili përkeqëson raportet dhe ngrit emocionet e Gjakovarëve me deklarata jo korrekte.

Lexojeni të plotë reagimin e kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila

Është e rëndë që çdo vit në Komunën e Gjakovës në të njëjtën datë të përsëriten skenat e bllokimit të rrugëve e cila qon në kishën ortodokse. Situata rëndohet kur ardhjet e pelegrinëve për në kishë përcjellën me deklarata sikur ato të Vulinit i cili krahason Gjakovën me Raqqen në Siri. Është i njëjti politikan Serb i cili gjithmonë përkeqëson raportet (ashtu të rënduara) dhe ngrit emocionet e Gjakovarëve me deklarata jo korrekte.

Disa fakte që rrëzojnë deklaratën e Vulinit të ditës së sotme:

1. Gjakova është komuna në të cilën 17% të popullsisë shqiptare janë të besimit krishterë/katolik.

2. Gjakova është komuna në të cilën popullata muslimane iu përket në masë të konsiderueshme tarikateve.

3. Gjakova është komuna në të cilën, Krishtlindjet, Bajrami dhe Muharremi festohen dhe urohen nga të gjithë pa dallim përkatësie fetare.

4. Gjakova është komuna me numrin më të madh të vrarëve, të pagjeturve, të plagosurve dhe të dhunuarave në luftën e fundit në Kosovë nga agresori Serb.

5. Kisha ortodokse në Gjakovë sot qëndron në mes të qytetit e pacenuar.

Personalisht kam vizituar disa herë motrat e nderit në atë kishë dhe jemi angazhuar si Kuvend Komunal për një mjedis të qetë e të sigurt.

Si popull pranues ndaj feve dhe kulturave tjera nuk lejojmë që të baltoset vlera më e rëndësishme e popullit tonë.

Përderisa respektojmë dhe besojmë në lirinë e ushtrimit të fesë të gjithëve pa dallim, jam e sigurt se do të jemi dëshmitarë të vizitës së pilgrimëve serb në këtë kishë, ndërsa besojmë se gjithashtu drejtësia do të shkojë deri në fund me gjetjen dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që shkaktuan dhimbje kaq të thellë pa dallim feje tek shqiptarët.

Pilgrimët serb ishin në kishën ortodokse në Gjakovë jo më larg se në Nëntor të vitit 2014, për ditën e të vdekurve.

Vizita do të ketë prapë, por gjuha dhe krahasimet e Vulinit nuk i bëjnë më të lehta këto vizita, por i vështirësojnë ato.

Pra dallimi nuk është fetar z. Vulin, por është politik dhe historik, varësisht si interpretohet ai.

Nëse donë që në të ardhmen, qytetarët e Gjakovës të vizitojnë kishën e tyre, ndal së hedhuri vaj në zjarrin e ndezur nga ju vetë 16 vite më parë.