Kusari-Lila takohet me bashkatdhetarë
Kryetarja e Komunës së Gjakovës ka mbajtur takim me bashkatdhetarë të cilët jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Europës, e që gjatë këtyre ditëve kanë ardhur me pushime në vendlindjen e tyre. Kusari-Lila i ka njoftuar bashkatdhetarët me sfidat nëpër të cilat gjendet komuna, duke theksuar se “sfidat e qeverisë së re janë nga më të ndryshmet dhe të shumta në numër, duke u nisur nga sfida për realizime të projekteve kapitale, borxhi i trashëguar nga ish-qeverisja që pamundëson investime, projektet e nisura nga ish-qeverisja e të cilat kanë ngelur të papërfunduara, e të tjera”.
Në këtë kontest, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur se për periudhën e deritanishme të këtij viti deri më tani është arritur që nga borxhet e trashëguara të shlyhen rreth 2.8 milion euro. Më pas, mërgimtarët nga kryetarja janë njoftuar për shpalljen e Gjakovës si zonë të lirë ekonomike i cili ende nuk është tërësisht funksional ku aspirohen prodhime me kosto më të ulët, pastaj “Parku i Biznesit” ku pas kërkesës së parashtruar AKP-së pritet përgjigje prej tyre, si dhe për nisma tjera me synime dhe objektiva ekonomike.
Gjithashtu në fokusim kanë qenë edhe investimet aktuale në renovimin e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, për kulturën në përgjithësi, sportin, me theks të posaçëm futbollin ku planifikohet që stadiumi të shndërrohet në ndërmarrje komunale publike, pastaj planifikimi për ambientin, hapësirat e gjelbërta, si dhe të tjera projekte të cilat disa prej tyre janë iniciuar dhe disa të tjera janë në planifikim, që kanë të bëjnë edhe me partneritetin publiko-privat.
Nga mërgimtarët janë parashtruar kërkesa të ndryshme që kryesisht kanë pasur të bëjnë me rregullimin e ambientit, ndërtimet, uzurpimet si dhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturë. Në këtë takim, nga mërgimtarët janë dhënë edhe vlerësime për punën e deritanishme dhe objektivat e shprehura nga kryetarja e komunës, ku është falënderuar për investimet në renovimin dhe rikthimin e Galerisë së Arteve, ligjshmërinë, dhe të tjera cilësime.