LDK në Rogovë, akuza për qeverinë
Gjakovë- Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjakovë, ka mbajtur një tubim me qytetarë dhe strukturat e nëndegës së LDK-së në Rogovë. Në fjalën e tij para të mbledhurve, kryetari i degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola, bëri një përmbledhje të situatës dhe gjendjes aktuale në LDK-në në Gjakovë, ndërsa i njoftoi të pranishmit me përgatitjet për zgjedhje dhe synimet e kësaj dege në procesin zgjedhor.
Nga ana tjetër, Avdullah Hoti, anëtar i grupit të ekspertëve për ekonomi të LDK-së, më këtë rast në pika të shkutëra ka bërë prezantimin e “Platformës së LDK-së për Zgjedhjet Nacionale 2014”. Ai u shpreh se pikat kryesore e platformës së LDK-së, janë zhvillimi i bujqësisë, zhvillimi ekonomik dhe shteti i së drejtës.
Ndërkohë, nënkryetarja e LDK, Teuta Sahatqija, tha se LDK-ja do të jetë ajo e cila do të largojë këtë qeveri të dështuar dhe të korruptuar, e cila për tetë vite me radhë, punë të përkushtuar të saj e kishte shkatërrimin e imazhit dhe ekonomisë së Kosovës.
Para të pranishmëve kanë fol edhe Anton Quni, Zef Morina dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së Degës së LDK-së në Gjakovë, të cilët u janë përgjigjur edhe mjaft pyetjeve të cilat u shtruan nga të pranishmit./radiogjakova/










