Lojërat e fatit, Komuna iu “shpall luftë”
Gjakovë- Nga disa dhjetëra objekte të lojërave të fatit që operojnë në komunën e Gjakovës, vetëm nëntë prej tyre kanë leje pune dhe leje higjieno–sanitare të lëshuar nga Komuna.
Por, siç kanë bërë të ditur zyrtarët komunal edhe këtyre nëntë operatorëve së shpejti do t’u anulohet kjo leje dhe do të futen në mesin e lokaleve që operojnë ilegalisht. Sipas tyre këto nëntë leje janë lëshuar në mënyrë të paligjshme nga disa inspektorë komunal, të cilët e kanë shfrytëzuar vakumin e krijuar gjatë periudhës së ndërrimit të pushteteve nga Pal Lekaj te Mimoza Kusari – Lila.
Për këtë, drejtoria e Inspeksionit dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik e kanë formuar një komision i cili do ta bëjë verifikimin e këtyre lejeve dhe anulimin e plotë të tyre. Sipas zëdhënësit të komunës së Gjakovës Ali Tafarshiku, këto leje do të anulohen me arsyetimin se lokalet në fjalë janë në kundërshtim me Ligjin, pasi gjendet në afërsi nën 500 metra me objekte publike, arsimore apo fetare.
Zëdhënësi Tafarshiku dhe drejtori i Inspeksionit, Mentor Sylmeta, kanë njoftuar gjithashtu se tashmë komuna e ka përgatitur një raport të plotë, përcjellë edhe me hartë dhe fotografi për të gjitha lokalet e lojërave të fatit, të cilat janë duke e shkelur ligjin. Sipas dy zyrtarëve, ky raport do të dorëzohet në ATK dhe në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, institucione këto që do të vendosin nëse lokalet që e shkelin Ligjin do të mbyllen apo jo.










