“Lyra-Fest”, vendi i parë për Roderika Ukellin
Gjakovë- Në Gjakovë me sukses u mbajt edicioni i shtatë i festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë “Lyra Fest 2013”. Në mbrëmjen e së shtunës u shfaqën 18 këngë, të cilat i prezantuan fëmijë të talentuar nga të gjitha qytet e Kosovës por edhe nga Maqedonia dhe diaspora.
Në festival u paraqiten mbi 100 fëmijë pjesëmarrës, si pjesë e korit të festivalit dhe mysafirë të ndryshmëm, të cilët gjatë tërë mbrëmjes u duartrokitën dhe u pritën shumë mirë nga një publikë tradicionalisht i kulturuar, që kishte mbushur sallën e pallatit të kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.
Juria në përbërje nga Sami Piraj, Selvete Krasniqi, Jeton Vorfi dhe Erza Pozhegu dhanë vlerësimet për fituesit. Vendi i parë i takoi Roderika Ukellit, e cila interpretoi këngën me titull “Vajzat” të kompozuar nga Armend Rexhepagiqi me tekst të Aida Barakut. Vendi i dytë i takoi Anda Ruhanit dhe Mrika Gjakoves, ndërsa të tretin e mori Vlera Musa dhe Erika Sinani.
Çmimi i Radio Gjakovës i ka takuar Klea Kastratit, ai i publikut Anda Ruhanit, i KTV-së Dhurata Radës etj.
Festivali “Lyra Fest” tashmë ka krijuar një vend, një hapsirë ku mund të shprehin shumë fëmijë talentin e tyre, të cilët kanë prirje për të kënduar.
Festivali këtë vit është mbështetur nga Ministria e Kultures Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Gjakovës, Qumështorja Vita dhe shkolla e kitarës “Vihuela”. Ndërsa, sponzor medial ishin Radio Gjakova dhe KTV.










