Makthi i vërshimeve bashkëjeton me shumë familje gjakovare
Gjakovë- Janë me dhjetëra familje gjakovare që këto ditë, në prag të dimrit, nuk po vënë gjumë në sy. Shumica prej tyre, për të mos thënë të gjitha, janë familje anë e kënd Gjakovës që gjatë stinës së dimrin, e në veçanti dimrin e kaluar kanë pësuar nga reshjet e shiut, vërshimet, përmbytjet apo fatkeqësi tjera të stinës.
Ndonëse gjatë atyre fatkeqësive apo edhe pas tyre nga institucionet kanë marrë me dhjetra premtime për sanimin e problemeve që i kanë shkaktuar ato fatkeqësi, gjendja edhe sot në prag të dimrit vazhdon të mbetet e njëjtë.
Kjo në fakt është edhe arsyeja që po vazhdon t’i mbajë të brengosura këto familje, të cilat tashmë e dinë se çka do t’i presë pas disa ditësh kur moti do të përkeqësohet dhe do të fillojnë të reshurat atmosferike.
Nga ana tjetër, zyrtarë komunalë thonë se nuk kanë mundësi të bëjnë shumë për këto familje, pasi mundësitë financiare të komunës ua kanë lidhur duart të veprojnë. “Komuna nuk ka mjete materiale që të ndërhyjë tek këto raste dhe gjendja vazhdon të mbetet e rëndë edhe sot”, ka thënë Xhevat Rraci, drejtor komunal në drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim./radiogjakova/