.
Published On: Mon, Feb 9th, 2015

MASHT-i harron Gjakovën, Kusari-Lila takon Komisionin për Arsim

Share This
Tags

ministria-arsimitSituata në sistemin arsimor në komunën e Gjakovës, sa i përket infrastrukturës nuk është edhe aq e mirë. Janë disa objekte shkollore që as për së afërmi nuk i plotësojnë kushtet për zhvillimin e procesit mësimor.

Ndër to përmendet shkolla në fshatin Ponoshec, ajo në fshatin Korenicë, shkolla”Mustafa Bakija”, e të tjera. E që situata të jetë edhe më keq, Ministria e Arsimit nuk e ka futur Gjakovën në listën e komunave ku do të ndërtohen objekte të reja shkollore gjatë vitit 2015.

Për këtë, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka kërkuar ndihmë nga Komisioni parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini e Sport, anëtarët e së cilit kanë qëndruar për vizitë në komunën e Gjakovës. Në takim me ta, Kusari – Lila ka thënë se ky komision duhet të bëj presion tek Ministria e Arsimit që ta fus në listën e prioriteteve edhe ndërtimin e objekteve shkollore në Gjakovë.

E në këtë kërkesë, Kusari – Lila ka gjetur përkrahje nga anëtarët e komisionit. Nait Hasani, kryetar, ka thënë se Ministria e Arsimit duhet urgjentisht të investojë në infrastrukturës shkollore në Gjakovë, gjatë vitit 2015, sepse shumë shkolla në këtë komunë punojnë në ambiente tejet të pa përshtatshme.

E përpos arsimit, Kusari – Lila ka kërkuar nga anëtarët e komisionit që të ndikojnë në përshpejtimin e miratimit të Ligjit që mundëson kthimin e Teatrit të Gjakovës në Teatër Kombëtar dhe Ligjit për sponsorizimin në sport, Ligj ky që do të ndikojë që klubet sportive nga Gjakovë të dalin nga kriza financiare./radiogjakova/