.
Published On: Sat, Feb 8th, 2014

Mbahet debati për QKMF-në

Share This
Tags

qkmf-projektiGjakovë- Komuna e Gjakovës ka organizuar debat publik me qytetarë për çështjen e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Në hapje të debatit,  kryetarja e komunës, Mimoza Kusari Lila, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Basri Komani, si dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Xhelal Hoxha, i kanë dhënë propozimet e tyre lidhur me mënyrën e funksionalitetit të mëtejmë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare si dhe propozimin për ndërtimin e objektit të ri eventual në rrugën “Mbretëresha Teuta”, tek kompleksi i shkollave të mesme.

Fillimisht, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka treguar arsyet e ndërprerjes së punimeve në QKMF, me konsistimin se ka qenë kontratë pa mbulesë nga ish qeveria dhe se punimet e kontraktuara nuk kanë qenë të detajuara. Kjo e dhënë,  ka thënë më tej kryetarja e komunës, ka ndikuar që me urdhëresë nga ana ime të ndërpriten punimet e mëtejme.

Në ndërkohë ka patur një avari në rrjetin elektrik e cila tashmë është duke u hetuar nga prokuroria dhe gjatë muajit shkurt pritet dhe ekspertiza. Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka bërë të ditur se pas kryerjes së kësaj ekspertize atëherë do të shikohet se ku të vazhdojnë sanimet në këtë objekt trashëgimor, ku pjesërisht do të jetë funksional, si me  kryerjen e vaksinimeve, qendrën e trajnimeve, administratën dhe një pjesë të stomatologjisë.

Nga Basri Komani janë dhënë sqarimet e detajuara për shqyrtimin e nevojave dhe të sasisë në investimet në objektin e QKMF-së, ndërkaq nga Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në detaje është dhënë spjegimi për hapësirën e re të planifikuar për ndërtimin e një qendre të re mjekësore në rrugën “Mbretëresha Teuta”, e cila edhe është e përfshirë në planin urban të miratuar në vitin 2009.

Për ndërtimin e kësaj qendre, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka thënë se do të bëhen prezentime dhe kërkesa në konferencën e donatorëve për Gjakovën që do të mbahet me datat 13 dhe 14 mars,por paraprakisht do të shikohen edhe mundësitjera me donator tjerë me interes për komunën.Të pranishmit në debat që në shumicë ishin punonjës të mjekësisë primara parimisht dhe pa asnjë vërejtje janë dakorduar për këto dy mundësi të ofruara nga Komuna.