.
Published On: Fri, Mar 6th, 2015

Mbahet mbledhja e Asamblesë komunale

Share This
Tags

asambleja-efektAsambleistët e Gjakovës kanë mbajtur mbledhjen e dytë të këtij viti. Fillimisht shqyrtuan propozim-vendimin e kryetares së komunës, Mimoza Kusari-Lila, për formimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës së Gjakovës, pastaj kërkesën për themelimin e Zyrës për Integrime Evropiane, e të tjera.

Lidhur me këtë kryetarja Kusari-Lila ka thënë se bëhet fjalë për tri zyre. Zyra për Menaxhimin e Projekteve, nisur nga projektet e mëdha të cilat komuna do ti realizoi gjatë këtij viti me ç’rast ka veçuar Projektin për Impiantin e Ujërave të Zeza në vlerë prej 3 milion euro, pastaj Zyra për Promovimin e Investimeve, nisur nga prioriteti i komunës për thithjen e investimeve, si dhe Zyra për Menaxhimin e Pronës, meqë në këtë fushë ka paqartësi dhe dyshime të mëdha.

Në vazhdim të mbledhjes së sotme të Asamblesë Komunale është shqyrtuar edhe propozimi  për marrjen e vendimit për punimin e planit rregullues të hollësishëm të Qendrës Sekondare Komunale në Rogovë. Lidhur me këtë, Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë komunale për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka thënë se në projektet e planifikuara me Buxhetin e  Komunës së Gjakovës për vitin 2015, është edhe hartimi i këtij plani rregullues, ndërkohë që zona për të cilën kërkohet marrja e vendimit për Punimin e Planit  të Hollësishëm është Qendra Sekondare Komunale Rogovë.

E gjithë kjo  nisur nga fakti se sipas Planit Zhvillimor Komunal kjo pjesë rurale e komunës është përcaktuar që të bëhet qendër sekondare dytësore. Bëhet fjalë për një  qendër  e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 1 mijë e 539 hektar e ndarë  në dy zona, ndërkohë që sipërfaqja e përafërt për punimin e këtij plani është 250 hektar.

Sipas kryeurbanistit Hoxha, me këtë plan parashihet shndërrimi i zonës ekzistuese në një qendër urbane të zhvilluar dhe shumë atraktive për të jetuar dhe zhvilluar biznes, përmirësimi dhe rritja e kualitetit jetësor, pastaj zhvillimi dhe shtrirja e infrastrukturës, urbanizimi i zonës, ringjalla me veprimtari dhe funksione që rrisin aktivitetin dhe pasurinë e kësaj zone, e të tjera.

Një qëllim tjetër i këtij projekti, është zhvillimi i ekonomisë së komunës duke pasur për bazë kushtet klimatike tokësore, sistemin e ujitjes si dhe traditën e popullatës në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Pas diskutimeve të bëra, kuvendarët gjakovar e kanë aprovuar  propozimin  për marrjen e vendimit për punimin e planit rregullues të hollësishëm të Qendrës Sekondare Komunale në Rogovë, plan ky i cili do të hartohet për periudhën kohore 8 vjeçare. Në vazhdim të kësaj mbledhje anëtarët e Asamblesë Komunale në Gjakovë kanë trajtuar edhe propozimin për marrjen e vendimit për punimin e planit rregullues të hollësishëm – zona “Çarshia e Madhe”./radiogjakova/