.
Published On: Mon, Feb 24th, 2014

Mbahet mbledhja e Bordit të Drejtorëve

Share This
Tags

komuna-gjkGjakovë-  Pas dorëheqjes së Etor Hoxhës në takimin e Bordit të Drejtorëve, mbledhja ka vazhduar me pikat e përcaktuara të rendit të ditës ku nga kryetarja Mimoza Kusari Lila është kërkuar që nga drejtorët komunal të përgaditen materialet tenderuese me kritere të reja, specifika për tenderë të bëhen duke përfshirë edhe ekspertë nga jashtë institucioni komunal dhe mos të merren si kritere specifikat tenderuese të ish-qeverisë.

Përsa i përket procesit të auditimit dhe planifikimit të pagesave të borxheve aktuale, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka pohuar se tani për të pestën herë do të përsëritet kërkesa për auditim të jashtëm dhe se borxhet e vjetra të mos paguhen pa u bërë vlerësimi i punëve të kryera dhe të gjitha borxhet ndaj operatorëve të trajtohen një nga një.

Kërkesa e prezentuar nga Diana Çarkaxhia, drejtore e Drejtorisë së Arsimit për lirimin nga pagesa për banim në konviktin “Sadik Stavileci” për studentet Florentina dhe Adelina Kryeziu, si familjarë të familjes së dëshmorëve, ka gjetur mbështetjen e bordit dhe është miratuar.

Ndërkaq, kërkesat e së njëjtës drejtori për eliminimin e katër kthinave të sanitarisë dhe shfrytëzimi i këtyre hapësirave për kabinete për profesorët e shkollës ”Nexhmedin Nixha”, pastaj për renovimin e shkollës “Mustafa Bakija” dhe konviktit “Sadik Stavileci”, për shkak të implikimeve financiare është vendosur që të bëhen paramasat teknike. Ndërkaq, kërkesa për ndërtimin e terrenit sportiv në SHFMU “Dëshmorët e Hereqit”, si një projekt i përbashkët me IOM-in ku Komuna do të participojë me njëzet përqind të shumës është arritur përfundimi që të merret një vendim i veçantë i Komunës.

Nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, konkretisht nga drejtoresha Silvana Domi është kërkuar aprovimi i pagesës së borxheve të trashëguara për operatorët ekonomik “RSM” në vlerë prej 106.125 euro dhe “Beni” në vlerë prej 91.549 euro. Ky miratim nga bordi ka ardhur pas konstatimit se projektet e tyre i kanë finalizuar.

Armend Vokshi, drejtor i Drejtorisë për Punë të Përgjithshme Administrative ka vënë në shqyrtim kërkesat për punë praktike në administratën komunale, ku nga bordi është arritur në përfundimin se duhet të bëhet evidentimi i praktikantëve aktual, kriteret për kryerjen e punëve praktike, afati kohor dhe specifikat tjera.

Nga Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është dhënë njoftimi për paqartësitë lidhur me vazhdimin e ndërtimit të dy ambulancave të Mjekësisë Familjare, në Ramoc dhe Novosellë të Ulët. Në sqarimet e bëra është thënë se master plani nuk e lejon një mundësi të tillë,dhe duke sjellë dhe fakte tjera është arritur në përfundim që të kontaktohet edhe Ministria e Shëndetësisë dhe pas analiziave tjera të trajtohet në mbledhjen e bordit.

Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka patur edhe një kërkesë për mundësinë e caktimit të lokacionit për ndërtimin e një objekti të përbashkët që u dedikohet personave me aftësi të kufizuar të kategorive të ndryshme dhe nga drejtoritë gjegjëse janë marrur përgjegjësitë për evidentimin e lokacionit.

Gjithashtu, kryetarja Mimoza Kusari Lila ka kërkuar  dhe njiherit është formuar Komisioni për Identifikimin dhe Shfrytëzimin e Banesave të Banimit Social që përbëhet nga drejtorët Basri Komoni, Teki Shala, Xhelal Hoxha dhe Skender Tullumi, si dhe Ali Tafarshiku nga zyra e kabintetit të kryetares.

Shqyrtim tjetër në këtë mbledhje ka qenë edhe trajtimi i projektit të varrezave të Mejes, ku kryetarja Mimoza Kusari Lila ka kërkuar të rishikohet kontrata me operatorin, dhe njiherit ky projekt të ketë prioritet dhe të sillen dhe sugjerimet në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Drejtorëve./radiogjakova/