.
Published On: Thu, Sep 21st, 2017

Mbahet mbledhja e fundit e Asamblesë

Share This
Tags

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë për këtë legjislaturë u prezantua raporti i punës së Ngrohtorës së Qytetit për vitin 2016, ku nga kryesuesja e bordit, Nora Dobruna, janë theksuar të arriturat kryesore, sfidat dhe menaxhimi i suksesshëm i kësaj ndërmarrje.

Ndër të tjera është përmendur se nga një borxh jashtëzakonisht i madh prej mbi 1 milion euro në vitin 2014, këtë vit borxhi është reduktuar në më pak se 300 mijë euro.

Ndërmarrja Publike Ngrohtorja e Qytetit është vlerësuar si një rast i suksesshëm i menaxhimit të mirë ku gjithashtu tashmë është hapur edhe tenderi nga Komisioni Evropian për ndërtimin e Ngrohtores së Re.

Më tutje, në mbledhjen e asamblesë komunale, të fundit për këtë mandat qeverisës, nga ana e nënkryetarit të Gjakovës, Armend Vokshi, është prezantuar Plani i Veprimit Lokal për Rini 2018-2020, plan ky i cili iu adresohet të rinjve dhe promovon bashkëpunimin ndërmjet organizatave rinore, grupeve jo formale dhe qeverisë lokale për fushën e politikave dhe programeve rinore.

Agon Batusha nga Vetëvendosje vlerësoi rëndësinë e këtij plani, duke thënë se për hartimin janë zhvilluar edhe takime me ndërkombëtarë.

Lidhur me këte vërejtje ka pasur kuvendari Luan Shllaku, i cili ka kërkuar informata shtesë për aktivietet e zhvilluara dhe mënyrën e financimit.

Pas diskutimeve, kjo pikë e rendit të ditës është miratuar nga ana e Asamblesë komunale në Gjakovë.

Më tutje është miratuar edhe propozim vendimi për themelimin e Këshillit Lokal për Punësim-KLP në Komunën e Gjakovës, këshill ky i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e një mjedisi me shanse më të larta dhe të barabarta të punësimit në Gjakovë.

Gjatë kësaj mbledhje, janë diskutuar gjithashtu edhe disa pika të tjera të rendit të ditës për shqyrtimin e informatës së dytë financiare, janar-qershor 2017, shqyrtimi i projekt rregullores komunale mbi pronën e paluajtshme për vitin 2018, informata nga komisioni për strehim social si dhe është miratuar projekt buxheti komunal për vitin 2018.