.
Published On: Mon, Feb 10th, 2014

Mbahet mbledhja e parë e qeverisë lokale

Share This
Tags

mimoza-drejtoratGjakovë- Nën kryesimin e kryetares së Komunës Mimoza Kusari Lila, është mbajtur mbledhja e parë e qeverisë lokale, në të cilën janë shqyrtuar shumë pika të rendit të ditës të natyrave të ndryshme. Në këtë takim, Kryetarja Mimoza Kusari Lila, fillimisht kërkoi nga drejtorët që të raportojnë në baza javore për aktivitetet e tyre, sfidat dhe planet për javën vijuese.

Po ashtu kërkoi që të gjithë drejtorët dhe zyrtarët tjerë të shërbimit civil të kyçen në një direktorium të përbashkët komunikimi me qëllim që të përmirësohet mënyra e komunikimit dhe të rritet performanca e përgjithshme e shërbyesve civil.

Kryetarja i urdhëroi drejtorët që t’i paguajnë të gjitha borxhet e mbetura ndaj kompanive publike të cilat i kanë kryer shërbimet ndaj Komunës, me theks të veçantë ndaj kompanisë “Çabrati” për grumbullimin e mbeturinave nëpër shkollat fillore dhe qendrat e mjekësisë familjare të fshatrave. Në këtë kontekst, Bordi i Drejtorëve mori vendim që të fillohet me përpilimin e një rregulloreje për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Gjakovës.

Bordi i Drejtorëve vendosi të themelojë një komision të veçantë për shqyrtimin e të gjitha projekteve të filluara nga qeveria e kaluar komunale, me theks të veçantë te përfundimi i projektit të rindërtimit të Çarshisë së Vjetër si dhe projektit të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit për 12 fshatrat e Rekës së Keqe. Me propozimin e kryetares së komunës, në këtë komision do të përfshihen zyrtarë komunalë nga drejtoritë për zhvillim ekonomik dhe ajo për urbanizëm, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike si dhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Drejtori i drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë informoi Bordin e Drejtorëve lidhur me përgatitjen e shënimeve kadastrale për projektet në vazhdim. Bordi vendosi që përparësi t’iu jepet projekteve për rregullimin e shtretërve të lumenjve “Krena” dhe “Llukac”, me qëllim që të zgjidhet edhe problemi i 6 familjeve RAE në bregun e Llukacit, të cilat vazhdimisht janë të rrezikuara nga përmbytjet gjatë sezonit të shirave.

Sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa, borxhi ndaj operatorëve të ndryshëm ekonomik që komuna e ka trashëguar nga qeveria e kaluar komunale arrin shumën prej 5,345,055 €, nga të cilat 370,476 € për kategorinë “mallra dhe shërbime”, 4,867,913 € për projekte kapitale, 91,951 € për komunali si dhe 14,715 € nga kategoria e subvencioneve./radiogjakova/