Mbi 400 aplikime për subvencionim në bujqësi
Fermerët gjakovarë po vazhdojnë të aplikojnë në zyrat e Drejtorisë së Bujqësisë për të përfituar nga subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë.
Në programin e sivjetmë, kjo ministri ka paraparë subvencione për grurë, misër, elb, thekër, luledielli, pastaj për lopë dhe buallica qumështore, dele dhe dhi, pulari, bletari, derrari, thëllëza, për pemishtet ekzistuese, perimet në fushë të hapur dhe në serra, vreshta ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidane të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit.
Po ashtu, subvencionim do të ketë edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht.
Në Drejtorinë e Bujqësisë në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, thanë se interesimi i fermerëve gjakovarë në ditët e fundit është në rritje dhe deri më tash kanë pranuar rreth 400 aplikacione për të gjitha prodhimet bujqësore.
Interesimi më i madh i fermerëve gjakovarë për të përfituar nga ky subvencionim është për lopët qumështore, mirëpo nuk kanë munguar as interesimi për grurë, misër, perime, pemë dhe vreshta. Afati për të aplikuar është deri më 30 mars.
Në Drejtorinë e Bujqësisë kanë apeluar që fermerët e interesuar aplikimet t’i kryejnë me kohë, e jo në ditën e fundit.
Në Programin për Pagesa Direkte të këtij viti, nga Ministria e Bujqësisë është rritur përkrahja për disa kultura bujqësore, siç është elbi, thekra dhe vreshtat.
Ndërsa, kultivuesit e perimeve sivjet përveç mbështetjes për kultivimin e këtyre kulturave në fushë të hapur, do të mbështeten edhe për kultivimin në serra./radiogjakova/