.
Published On: Thu, Jan 2nd, 2014

Mbi 500 CV-ja në adresë të Mimozës

Share This
Tags

cv-1Gjakovë- Mbi 500 CV kanë arritur në adresë të kryetares Kusari-Lila që nga dita kur ajo u bëri apel gjakovarëve që të dërgojnë të dhënat e tyre në mënyrë që të shihen si kandidatë me të cilët Komuna do bashkëpunojë, për siç u tha, ndryshimin e Gjakovës.

Saktësisht dy javë më parë, më 19 dhjetor, e para e komunës së Gjakovës bëri ftesë publike përmes rrjetit social “Facebook” që të ndiqet shembulli i saj, për rikthim në vendlindje për të kontribuar për Gjakovën.

Për Radio Gjakoven, Kusari-Lila tha se kandidatët që kanë dërguar CV-të janë shkolluar ose veprojnë aktualisht në shtete të ndryshme deri në Ameriken e largët. Ajo u shpreh se do të krijohet një databazë e të dhënave të gjithësecilit në mënyrë që sa herë të hapen konkurse për ndonjë punë, atyre t’u niset nga një e-mail në mënyrë që të konkurojnë.

“Ne jemi të interesuar që të krijojmë një sistem me të dhënat e kandidatëve që sa herë të hapet ndonjë vend pune, jo vetëm në Kuvendin e Komunës, por edhe në ndërmarrjet që synojmë t’i sjellim në Gjakovë, t’i njoftojmë ata në mënyrë që të konkurojnë. Kështu do ju lehtësonim punën të dyja palëve: edhe atyre që duan njerëz të aftë për t’i punësuar, edhe ata që duan një punë”, u shpreh Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka shtuar se nuk ka një afat të caktuar për të dorëzuar CV-të, ato do pranohen gjatë gjithë kohës dhe ka ftuar edhe ata që s’kanë dorëzuar një të tillë ta bëjnë sa më parë, pasi përmes këtij sistemi synohet të lehtësohet rruga për tek puna për gjithë të interesuarit për një të tillë./radiogjakova/