.
Published On: Tue, Mar 24th, 2015

Mbledhja e qeverive në Tiranë, ja çfarë përfiton Gjakova

Share This
Tags

mbledhja-qeveriveKomunat e zonës kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë tashmë do të kenë trajtim të veçantë sa i përket zhvillimit të gjithëmbarshëm e në veçanti zhvillimit ekonomik. Në mbledhjen e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, është nënshkruar një deklaratë e përbashkët për krijimin e një zonë ndërkufitare, në të cilën përfshihet Gjakova në Kosovë dhe Tropoja e Hasi në Shqipëri.

E ky veprim i dy qeverive, e ka gëzuar pa masë kryetaren e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila. Ajo ka thënë se ky zhvillim rajonal ka një vit që përgatitet si projekt që nga vizita e Kryeministrit Rama në Gjakovë, si projekt i përfshirë në studimin e Alpeve Shqiptare. Sipas saj, gjatë këtij viti komuna e Gjakovës ka pasur diskutime dhe takime me Fondin Shqiptar për Zhvillim për të filluar jetësimin e kësaj ideje.

Ndryshe, në mbledhjen e dy qeverive, kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se ky vendim do t’i jap një shtytje zhvillimore projekteve konkrete që do të dinamizojnë ekonominë në zonat kufitare, dhe do të krijojnë modele të integruara të zhvillimit ekonomik dhe social mes shqiptarëve në dy anët e vijës kufitare, në funksion të një transformimi të rëndësishëm, në marrëdhënie edhe me Bashkimin Evropian. Sipas tij, Ky është një hap i madh në korrigjimin e historisë e cila padrejtësisht ndau Malësinë e Gjakovës në dysh./radiogjakova/