Mblidhen nënshkrime për të parandaluar vizitën e të ashtuquajturve pelegrinë serb në Gjakovë
Një grup i qytetarëve të Gjakovës kanë marrë iniciativë për të parandaluar ardhjen e të ashtuquajturve pelegrinë serb, të cilët në dy data të ndryshme vizitojnë Kishën Ortodokse serbe që ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit. Shkëndije Hoda, Sanije Berisha, Haxher Arllati Bytyqi, Mimoza Shala, dhe të tjerë qytetarë nga Gjakova, kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve të cilat përmes një letër peticioni do t’i dërgohen institucioneve përkatëse vendore me kërkesë për parandalimin e vizitës së planifikuar për datën 5 maj 2017, të pelegrinëve serb, e cila datë është e afërt me 7 majin që për qytetin e Gjakovës përkujton “Betejën e Çabratit”, nga lufta e fundit. Organizatoret presin që deri të dielën të mbledhin 1 mijë e 200 nënshkrime të cilat plotësojnë letër peticionin që do t’i dërgohet Komisionit për të drejtat e njeriut, Komunës së Gjakovës dhe Policisë së Kosovës, nga të cilët kërkohet që të mos u mundësohet vizita pelegrinëve serb, në mesin e të cilëve ndodhen shumë persona që në luftën e fundit në Kosovë, ishin pjesë e masakrave dhe luftimeve në qytetin e Gjakovës.










