Mbyllet Qendra e Informimit, Komuna: E përkohshme, do të rihapet
Qendra e Informimit e cila ka funksionuar për disa vite në kuadër të Kuvendit të Komunës së Gjakovës është mbyllur.
Kjo qendër ka funksionuar për informim të qytetarëve që nga 7 korriku i vitit 2014 dhe ka qenë projekt i mbështetur nga UNDP gjatë gjithë qeverisjes së kaluar komunale.
Por, drejtori aktual i Drejtorisë për Punë Administrative, Flamur Fetahaj tha se mbyllja e kësaj qendre është e përkohshme dhe do të rihapet.
Sipas tij, shkak për këtë mbyllje të përkohshme është bërë pasi afati i përkrahjes nga UNDP ka kaluar në fund të vitit.
“Plani është që të bisedojmë edhe një herë me përfaqësuesit e UNDP-së për mundësinë e vazhdimit të mbështetjes për këtë Qendër. Nëse jo, atëherë do të shikojmë mundësi të tjera. Por, gjithsesi që kjo qendër do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen”, ka thënë drejtori Fetahaj./radiogjakova/