Mësimdhënësit në grevë, nuk mbahet ora e parë mësimore
Nxënësit gjakovarë, në të dy ndërresat, të mërkurën nuk e kanë mbajtur orën e parë mësimore pasi mësimdhënësit mbajtën grevën e paralajmëruar prej ditësh.
Greva zgjati vetëm orën e parë, ndërsa mësimi filloi normalisht nga ora e dytë.
Kryetari i degës së SBASHK-ut të Gjakovës, Sali Maliqi, tha se greva ka qenë e shtrirë në të gjitha shkollat e komunës dhe se gjithçka ka shkuar sipas planit.
Ai kujtoi edhe kërkesat e sindikalistëve të cilat janë: kompensimi për mësimdhënësit të cilët kanë dhënë mësim në gjuhën shqipe në kushte të vështira gjatë viteve ’90-të si dhe dhënia e e 3 pagave përcjellëse e 3 të tjera jubilare për mësimdhënësit pas pensionimit.
SBASHK-u është i vendosur të çojë deri në fund realizimin e kërkesave të tyre, prandaj Maliqi paralajmëroi që me datë 20 shkurt do të ketë dy orët e para grevë, ndërsa tha se pas kësaj date do të mblidhet Kongresi Sindikal ku do të vendosë për masat e tjera që mund të ndërmerren në rast se nuk ka ndonjë veprim nga ana e Qeverisë.
Megjithatë, kundër kësaj greve përpos Ministrisë së Arsimit, ka dalë edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Përmes një deklarate ata thanë se i kuptojnë kërkesat e mësimdhënësve, por këtu më së shumti dëmtohen nxënësit.
Po ashtu, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut reagoi për grevën duke thënë se nxënësit nuk duhet të përdoren për qëllime politike./radiogjakova/