Mimoza: TPGJ-së t’i kthehet statusi i teatrit kombëtar
Gjakovë- Ende nuk është e qartë se cila do të jetë qasja e Komunës ndaj Teatrit Profesionist të Gjakovës, kjo nga shkaku se ende nuk është definuar plotësisht, statusi i kësaj shtëpie teatrore.
Si bëhet e ditur, gjatë ditëve në vazhdim, kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila së bashku me udhëheqës të drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Gjakovë, do të bisedojë në Prishtinë me përgjegjësit e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, lidhur me Ligjin mbi Teatrin, përkatësisht aktet nënligjore të cilat presin për tu aprovuar, pas të cilit do të dihet qartë mënyra e mbështetjes së Teatrit Profesionist në Gjakovë.
Qëndrimi i kreut komunal në Gjakovë, është që teatrit gjakovarë t’i kthehet statusi i teatrit të dytë kombëtar në Kosovë, meqë kjo shtëpi teatrore e meriton një gjë të tillë. Ndryshe, deri sa të zgjidhet mënyra e financimit të teatrit, përkatësisht statusi i tij, detyrën e drejtorit në këtë institucion kulturor në komunën tonë, do ta mbajë drejtori aktual Edonis Kastrati, edhe pse tashmë i ka përfunduar mandati./radiogjakova/