Mos shkoni në Siri, është kundër Islamit!
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se pjesëmarrja në luftëra të huaja, krah formacioneve ekstremiste-terroriste është në kundërshtim me fenë islame dhe me librin e shenjtë – Kuranin.
Këtë deklaratë ai e ka dhënë gjatë një vizite në komunën e Gjakovës, me ç’rast është takuar me kryetaren Mimoza Kusari – Lila.
“Islami është një fe e cila i përkushtohet në vazhdimësi bashkëpunimit në mes të njerëzve dhe respektit të besimeve e jo asaj që sot po ndodh në emër të fesë, që është krejt e kundërta e islamit. Islami nuk ka asgjë të përbashkët me ekstremizmin, nuk ka asgjë të përbashkët, absolutisht, me krimin, me terrorizmin, ndaj prej këtij vendi këtu u bëj thirrje të gjithë atyre vëllezërve e bijve tanë që kanë hyrë në këtë rrugë të mashtrimit, që të kthehen në Kosovë e të largohen nga mashtrimi, sepse pjesëmarrja në ato luftëra është në kundërshtim me Kuranin dhe me porositë e profetit Muhamed”, ka thënë Ternava.
E përkrahje në këtë deklaratë Tërnava ka pasur edhe nga nikoqirja e tij Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë, në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të kenë alternativa të tjera para alternativës së bashkëngjitjes në grupet ekstremiste-terroriste.
“Ne si komb duhet t’i ruajmë vlerat tona dhe në secilën mënyrë, edhe si mekanizma institucionalë duhet të mundohemi që t’i mbajmë të rinjtë e të rejat në rrugë të drejtë, në kuptimin e angazhimit por gjithashtu të tregohet se ajo që ka ndodhur me disa të rinj nuk është në asnjë mënyrë vlerë e kombit tonë dhe si e tillë duhet dënuar”, ka thënë Kusari – Lila.
E përpos këtyre temave, kryemyftiu dhe e parja e Komunës së Gjakovës kanë biseduar edhe për fillimin e realizimit të dy projekteve me shumë rëndësi për komunën e Gjakovës dhe qytetarët e saj.
Ata kanë prezantuar fillimin e punimeve për rindërtimin e bibliotekës së kompleksit të Xhamisë së Hadumit dhe ndërtimin e Medresesë së Vogël në Gjakovë, dy institucione këto me vlerë të jashtëzakonshme për historinë e qytetit të Gjakovës.
Tërnava ka njoftuar se këto dy objekte do të ngrihen me investimin e Bashkësisë së Vakëfeve të Turqisë, por ky nuk do të jetë investimi i fundit, sepse kjo organizatë ka planifikuar edhe një sërë investimesh të tjera në Gjakovë, konkretisht në trashëgiminë kulturore e fetare të komunës sonë.
Ndryshe, Medreseja e Vogël, një shkollë që ka nxjerrë disa nga emrat më të njohur, është rrënuar dhjetëra vjet më parë nga vjetërsia dhe që nga ajo kohë ka mbetur gërmadhë.
Ndërsa, Biblioteka e Xhamisë së Hadumit, në të cilën kanë qenë të ruajtura disa shënime unike dhe me mjaft vlerë, është djegur gjatë luftës së vitit 1999 bashkë me të gjitha ato që ka pasur brenda.