Mungesa e këndeve të veçanta, lajmërimet mortore shpërndahen kudo
Nëse vendos të shëtisësh nëpër qytetin e Gjakovës, ndër gjëra që do të vësh re më shumë janë edhe lajmërimet mortore.
Në mungesë të këndeve të veçanta për njoftimin e popullatës, shfrytëzohet çdo vend përfshirë objekte shtetërore, shtylla dhe mure rrethuese të objekteve fetare, të cilat jo vetëm që mbushen me të tilla njoftime, por edhe qëndrojnë aty me muaj të tërë.
Në agjencitë funerale thonë se vendosjen e njoftimeve kryesisht e bëjnë vet qytetarët. Megjithatë, pavarësisht se kush i vendos, askush nuk merr përsipër t’i heqë.
Vetëm reshjet e shiut ose ndonjë aksion individual e i veçuar i largon këto njoftime.
Kjo çështje u ngrit edhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë komunale nga asamblisti i AKR-së, Edmond Dushi. Ai sugjeroi që të krijohet një projekt për vendosjen e tabelave njoftuese dhe mjetet të sigurohen përmes ndonjë donatori.
Megjithatë, pavarësisht nevojës që kjo çështje të zgjidhet asnjë asamblist tjetër nuk e mbështeti apo kundërshtoi idenë e Dushit./radiogjakova/