.
Published On: Tue, Mar 27th, 2018

Myrvete Kurtishi nderohet me çmimin vjetor për vepër jetësore

Share This
Tags

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimit Vjetor për Vepër Jetësore dhe çmimeve të tjera për teatër.

Çmimi për Vepër Jetësore sivjet, në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale i është ndarë aktores Myrvete Kurtishi, me motivacionin një jetë kushtuar teatrit, me dhjetëra role të shkëlqyeshme në Teatrin e Gjakovës dhe në teatro të tjera e bëjnë aktoren bartëse të denjë të çmimit për vepër jetësore.

“Ndoshta kisha dalë para një mijë personash për ta dhënë shfaqjen, pa mu dridhur duart dhe goja por kjo është sakrifica ime për dyzetë vite”, tha ndër të tjera laureatja Myrvete Kurtishi, e cila falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur gjatë gjithë karrierës së saj për katër dekada.

“Falënderoj edhe publikun tim i cili më ka rrit, më ka kriju, më ka frymëzu dhe më ka pru deri në këtë moment që t’i fitoi këto ”, u shpreh aktorja Kurtishi.

Ministri Kujtim Gashi, ndarjen e këtyre çmimeve e ka vlerësuar si një lloj respekti dhe mirënjohjeje nga ana e institucioneve për angazhimin dhe punën kreative të artistëve dhe se kanë zgjedhur këtë ditë të shënuar për t’i ndarë këto çmime.

“Me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, në nderim dhe vlerësim të punës dhe krijimtarisë tuaj të shkëlqyer si artistë kemi vendosur t’i ndajmë këto çmime. Dua t’i uroj edhe jurinë profesionale për punën e shkëlqyer që ka bërë ajo. Jam i bindur që vendimi i tyre ka qenë profesionale dhe neve si ministri na mbetet të vlerësojmë punën e juaj gjatë vitit 2017, dhe të inkurajojmë artistët që viti 2018 të jetë vit i angazhimit me punën e juaj”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi.

Përpos Kurtishit, me çmimin për vepër jetësore nga Teatri i Gjakovës prej vitit 2011 janë nderuar edhe Hadi Shehu, Hysen Binaku, Rauf  Dhomi, Sylejman Lokaj dhe Jahja Shehu.

Ndryshe, u dha edhe çmimi për shfaqjen më të mirë që shkoi për Teatrin e Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” për shfaqjen “Armiku i Popullit”, shfaqje me regji të Fatos Berishës. Ndërkaq, çmimin për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.