Ndërmarrësia sociale si lehtësim për themelimin e një biznesi
Bizneset joformale, nga njohës të ekonomisë vlerësohen si një rrjet i madh që nga dita në ditë po rritet, ndërsa në anën tjetër nuk po kontribuojnë për të rritur buxhetin e shtetit me pagesat e taksave dhe detyrimeve të tjera.
Numri i madh i bizneseve të tilla janë të ndërlidhura me punën që bënë gjinia femërore, ndërkohë që mungesa e kapitalit fillestar për të filluar një biznes, pastaj e njohurive themelore, si dhe mungesa e njohurive për të menaxhuar kapitalin e fituar, janë ndër shkaqet e ekzistimit të numrit të madh të bizneseve joformale.
Në këtë drejtim, organizata “Iniciativa e Femrës Kosovare” në Gjakovë, ka nisur implementimin e projektit “Zhvillimi i ndërmarrësisë sociale nga perspektiva gjinore”, si mundësi e formalizmit të bizneseve të tilla.
Eranda Kumnova- Baqi, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate, ka potencuar numrin e madh të biznesve joformale në Gjakovë, ndërkohë që ka thënë se ndërmarrësia sociale, mënjanon shumë barriera për themelimin e një biznesi.
Projekti “Zhvillimi i ndërmarrësisë sociale nga perspektiva gjinore” i cili është duke u implentuar nga “Iniciativa e Femrës Kosovare” në Gjakovë, është i shtrirë në komunat e Gjakovës, Rahovecit dhe Junikut./radiogjakova/