Nderohen Mazllum Këpuska e Dërgut Vokshi
Gjakovë- Me organizim të Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-it dhe Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, të shtunën u mbajt një akademi përkujtimore në nderim të dy figurave të njohura të luftës Antifashiste Nacional Çlirimatre, Mazllum Këpuskës dhe Dërgut Vokshit.
Profesori Xhevat Koshi ka folur gjerësisht për jeten dhe vepren e këtyre dëshmorëve duke i quajtur ata si personalitete të respektuara nga gjithë shqiptarët e që nuk ndaluan së dhëni kontributin për këtë vend deri diten kur vdiqen.
“Humbja e këtyre dy shokëve, Mazllum Këpuskës e Dërgut Vokshit, u përjetua shumë rëndë nga shokët e tyre dhe lëvizjen në të cilën ata bënin pjesë. Për shokët që e njohën mirë Mazllum Këpuskën, ai mbeti kandil i pashuar për të ju ndriçuar rrugën e ardhmërisë. Mazllum Këpuska siç cilësohej sypatrembur, i dha fund jetës në përqafim me shokun e tij të luftës Dergut Vokshin”, ka thënë mes tjerash profesori Koshi.
Nga ana tjetër, duke bërë ndërlidhje mes luftës Antifashiste Çlirimtare dhe Luftës së UÇK-së, shkrimtari Vehap Shita, ish – veteran i LNÇ-së e ka rikujtuar kontributin e Gjakovës në të dyja etapat.
“Në të dyja këto periudha të luftërave çlirimtare, Gjakova me rrethinë e ka thënë pa kursim hisen e vet si pjesë e këtij vendi, e këtij procesi. Gjakova me rrethinë me të drejtë mburret me trimat, me atdhetarët që i kanë dhënë emër Gjakovës në luftërat çlirimtare të Kosovës e të shqiptarëve që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te lufta çlirimtare e UÇK-së. Gjakova me rrethinë, kanë dhënë shumë trima, shumë burra, djem e vajza që e kanë nderuar vendin, atdheun”, u shpreh Shita.
Me një fjalë rasti në nderim të vepres së këtyre dëshmorëve u paraqit edhe profesori nga Malësia e Gjakovës, Mark Palnikaj i cili tha se populli shqiptar nuk duhet ta harrojë kontributin e njerëzve të vet, qoftë ai kontribut edhe nën flamurin e komunizmit, sepse ndonëse shqiptarët në një periudhë kanë luftuar nën atë flamur, ata në realitet kanë luftuar për liri dhe bashkim kombëtar.
Mazllum Këpuska dhe Dergut Vokshi, të dy këta emra të dëshmuar në përpiekjet paraluftarake dhe luftarake kundër pushtuesit të atëhershëm dhe në angazhimet për liri e bashkim kombëtar, u pushkatuan nga ushtria italiane me 18 qershor 1943 në Landovicë afër Prizrenit, pasi një ditë më herët ishin arrestuar në Gjakovë, në kullën e Vokshit. Sipas dëshmitarëve dhe fakteve historike, vendqëndrimi i tyre ilegal ishte dërguar tek italianët nga spiunë të kohës, bashkëpunëtorë të pushtuesit./radiogjakova/