Ndërtohet edhe një rrugë në drejtim të kodrës së Çabratit
Me ndërtimin e rrugës “Muharrem Domi” e cila lidhë Lagjen Gërqar me Kodrën e Çabratit do të krijohen lehtësira të mëdha në qarkullimin normal të trafikut në këtë zonë të qytetit. Bëhet fjalë për lotin e parë të rrugës e cila do të përshkroi kodrën e Çabratit, duke u nisur nga Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Gërqar e vazhdon deri në afërsi të objektit Tyrbja e Çabratit. Gjatësia e këtij aksi rrugor është mbi 700 metra, ndërkohë që për ndërtimin dhe asfaltimin e saj do të investohen 15o mijë euro. Sipas Shkumbin Kastratit, drejtor i Drejtorisë komunale për Shërbime Publike punimet do të nisin te enjten ndërsa dinamika e paraparë e realizimit të këtij projekti është 60 ditë pune. Ndërtimi i këtij aksi rrugor, do të pasohet me ndërtimin e lotit të dytë të kësaj rruge, i cili do të realizohet në të ardhmen, me të cilën parashihet vazhdimi i këtij segmenti rrugor deri tek Përmendorja e Martirëve të Kombit, përkatësisht bashkimi me rrugën e asfaltuar “Martirët e Lirisë”. Një gjë e tillë padyshim se do të përmirësoi dukshëm kushtet për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve në një pjesë shumë të frekuentuar në vendpiknikun e preferuar në Kodrën e Çabratit.










