Ndryshime në AKR-në e Gjakovës, dorëhiqet Luan Shllaku
Kryesia qendrore e Aleancës Kosova e Re ka marrë vendim për rifreskim të degëve të AKR-së në Gjakovë e Prizren për përgatitjen sa më të mirë të zgjedhjeve lokale, duke bërë ndërrimin e kryetarëve të degëve.
Me këtë rast kryesia e degës së AKR-së në Gjakovë mbajti mbledhje në prezencë të sekretarit të përgjithshëm Vesel Makolli dhe Mirlindë Gashit.
Në këtë mbledhje ku u analizuan të gjitha sfidat e problemet, u vendos t’i lihet hapësirë kuadrove të reja e produktive dhe pas dorëheqjes së kryetarit Luan Shllaku, pozitën e ushtruesit të detyrës ta ketë Edmond Dushi.
Në letrën e dorëheqjes, Shllaku shkruan se për arsye personale dhe etike dorëhiqet nga të gjitha pozicionet nga ky subjekt politik përfshirë si kryetar i degës, anëtar i kryesisë në nivel qendror, asamblist dhe shef grupi si përfaqësues i AKR në Kuvendin Komunal të Gjakovës./radiogjakova/