Në KK të Gjakovës, paguhen borgjet e trashëguara për komunali

Komuna e Gjakovës ka paguar së fundmi rreth 100 mijë euro borxhe të trashëguara, për komunali, konkretisht për shpenzime të energjisë elektrike, ndriçimit publik, ujë të pijes, telefonisë, mbeturinave etj.
Pagesën e borxhit e ka konfirmuar edhe drejtori komunal për Buxhet dhe Financa, Teki Shala. Ai ka thënë se gjysma e këtyre mjeteve kanë ardhur nga granti qeveritar e gjysma tjetër nga të hyrat vetanake të komunës.
Por, sipas Shalës, të gjitha këto mjete janë marrë nga pjesa e investimeve kapitale, që do të thotë se për të paguar këtë borxh, komuna ka qenë e detyruar të heqë dorë nga investimet kapitale në vlerë prej 100 mijë euro.
Ndryshe, Shala ka bërë të ditur se komuna po vazhdon që me sukses ta paguaj edhe borxhin e tërësishëm të trashëguar. Sipas tij, deri me tani komuna ka paguar borxh ndaj kompanive të kontraktuara një shumë prej rreth 2 milion e 400 mijë euro, ndërsa ka mbetur pa u paguar edhe një shume tjetër prej rreth 3 milion e 100 mijë euro, nga gjithsejtë borxhi total prej rreth 5 milion e 500 mijë euro.










