Në të gjitha teqet shënohet dita e Sulltan Novruzit Kusari-Lila dhe TMAB urojnë komunitetin e tarikateve
Në të gjitha teqet në komunën e Gjakovës është shënuar 21 marsi, ditëlindja e Imam Aliut, pasardhësit legjitim të Profetit Muhamed apo siç njihet ndryshe edhe festa e Sulltan Novruzit. Kjo festë që përkon edhe me ditën e pranverës, për besimtarët musliman të tarikateve, simbolizon ringjalljen e botës pas periudhës së rëndë të dimrit. Sipas dogmës sufiste, në dimër, toka ka një vdekje të plotë, ndërsa me ardhjen e pranverës, toka ringjallet dhe pothuajse gjithçka fillon një jetë të re. Në tri ditët e kaluara rituali tradicional i ziqrit është bartur nga njëra teqe në tjetrën, ndërkaq përpos besimtarëve të teqeve përkatëse, ziqri është ndjekur edhe nga dhjetëra e qindra qytetar tjerë, simpatizantë të sufizmit.
Me rastin e kesaj feste komunitetin e tarikateve e ka uruar edhe kryetarja e komuëns së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e cila ndër të tjera është shprehur se më shumë se një ditë e re, kjo festë vjen bashkë me Pranverën dhe paraqet lindjen e shpresës tek njerëzit, kthimin e optimizmit dhe buzëqeshjes për plotë gjallëri dhe kuptim”, ka thënë Kusari Lila.
Me rastin e ditës së Sulltan Novruzit dhe ditëlindjes së Imam Aliut, Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike, i ka uruar besimtarët e tarikateve. Në urim mes tjerash thuhet se “Në këtë ditë të madhe, pos falënderimit për ringjalljen e natyrës, ne me respekt të thellë e përulje, kujtojmë ditëlindjen e Imam Aliut, por edhe vuajtjet, peripecitë dhe sakrificat nëpër të cilat ka kaluar Familja e Naltë e Ehlibejtit – trashëgimtarët e Profetit Muhamed Mustafa, kujtojmë, po ashtu, vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë shqiptar, i cili me peripeci të mëdha e të pafundme, tashmë po i realizon synimet e veta për dinjitet, mirëqenie, liri dhe pavarësi të plotë kombëtare”, thuhet në urim. Po ashtu, në këtë ditë, Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike, ka kërkuar lirimin e Ramush Haradinajt.
“Lufta e UÇK-së ishte e pastër, e drejtë dhe çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar edhe në dy procese të mbajtura ndaj tij në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, vetë Haradinaj dhe shumë bashkëluftëtarë të tij”, thuhet ndër të tjera në një komunikate për media nga Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike, përkatësisht nga Postmbajtës i Teqesë, Sheh Musa Shehu.