“Nga nëna”, projekti që kërkon të rikthejë “Namazgjahun”
Organizata “Together in Progress” që ka si mision integrimin e grupeve vulnerable të shoqërisë, me fokus të veçantë gratë dhe vajzat, ka hartuar një projekt për ringjalljen e pjesës së Namazgjahut.
Projekti i quajtur “Nga nëna” ka si qëllim t’ju mundësojë grave fermere të komunës së Gjakovës t’i tregtojnë prodhimet e tyre në këtë treg.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Together in Progress”, Arbëresha Maloku, njoftoi se target i këtij projekti janë 25 gra, ndërsa përfshihen edhe trajnime falas për sipërmarrësi, për përgatitje profesionale të bylmetit, për organizimin e panaireve, transport dhe ambalazhim.
Për realizimin e këtij projekti kërkohen 10 mijë euro, ndërsa po grumbullohen përmes platformës “Kosova Ideas” që iu lehtëson ideatorëve të projekteve të prezantojnë idetë e tyre përpara donatorëve të mundshëm.
Të gjithë të interesuarit mund të kontribuojnë me shuma të ndryshme./radiogjakova/










