Ngrohtorja në udhëkryq
Në kohën kur do të duhej të zhvillohen përgatitjet e fundit për sigurimin e lëndës së parë për sezonën e re ngrohëse, Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë ndodhët në një udhëkryq të madh sa i përket punës së mëtutjeshme të këtij institucioni për ngrohje.
Admir Shala, drejtor, për Radio Gjakovën ka thënë se situata e trashëguar është e rendë dhe si e tillë paraqet një pengesë të madhe për vazhdimin e punës. “Borxhet e mëdha të trashëguara, kontratat shumë të pafavorshme dhe me kamata të larta bankare të lidhura me furnitor, pastaj mos pagesa e TVSH-së me vite të tëra, e të tjera, e kanë sjellë Ngrohtoren e Qytetit në Gjakovë në situate kur duhet të mendohet mirë për të ardhmen e saj”, ka thënë Shala.
Në anën tjetër çmimet e larta të lëndës së parë mazutit, dhe gjendja në objektin ekzistues, kanë shtyrë udhëheqësin e ngrohtores që të shqyrtojë mundësinë e ndërrimit të lëndës së parë, përkatësisht ndërtimin e një objekti të ri, i cili do të jetë në trend me të arriturat në këtë fushë, për çka është kërkuar edhe ndihma e ekspertëve ndërkombëtarë. E gjithë kjo e bënë tejet të paqartë fillimin e sezonës së re ngrohëse në komunën e Gjakovës, e cila në këtë aspekt pret edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës./radiogjakova/










