Nis puna për asfaltimin e 1.7 km rrugë në Guskë
Të hënën pasdite nisën punimet për asfaltimin e rrugës në fshatin Guskë e gjatë 1.7 kilometra. Në inaugurimin e punimeve ishte edhe kryetari i Komunës, Ardian Gjini, drejtori i Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastrati dhe zyrtarë të tjerë.
Kostoja e asfaltimit të kësaj rrugë është 130 mijë euro, ndërsa është e paraparë të përfundojë për një muaj.
Kryetari Gjini tha se ky është një projekt i vogël infrastruktor, por shumë i rëndësishëm për komunitetin.
Nga Guska, Gjini paralajmëroi fillimin e të tjera projekteve infrastrukturore më të mëdha nga java e ardhshme.
Të lumtur ishin edhe banorët të cilët thanë se kjo rrugë do t’ju krijojë lehtësi, sidomos nxënësve të cilët vijojnë mësimet në shkollën e fshatit./radiogjakova/