Nis shpërndarja e tabelave të reja 07
Që nga dita e sotme (e hëne), edhe zyrtarisht ka filluar shpërndarja e tabelave të reja të automjeteve me kodin e veçantë 07, kod identifikues për rajonin e Gjakovës.
Në një ceremoni modeste, tabelën e parë me kodin 07 e kanë ndarë Kryshefi i Agjencisë për Regjistrim Civil në ministrinë e Punëve të Brendshme Blerim Camaj, nënkryetari i komunës së Gjakovës Ramdan Hoti dhe menaxheri rajonal i qendrës së Regjistrimeve Shkumbin Kastrati.
Me këtë rast, këta zyrtarë e kanë vlerësuar lartë pavarësimin e Gjakovës nga Peja dhe fillimin e shpërndarjes së tabelave me kod të veçantë. Të gjithë njëzëri kanë bërë të ditur se qytetarët e Gjakovës tashmë do të kenë më shumë lehtësira si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë të drejtësisë.
Ndërkohë, sa u përket tabelave me kodin 07, menaxheri i Qendrës Regjionale për Regjistrimit të Automjeteve Shkumbin Kastrati, ka rikonfirmuar se ndërrimi i tabelave dhe librezave do të bëhet pa asnjë pagesë shtesë, por në të njëjtën kohë ka njoftuar se ndërrimi i këtyre tabelave mund të bëhet vetëm pasi t’u ketë kaluar afati i regjistrimit tabelave të vjetra, respektivisht atyre me kodin 03./radiogjakova/