Nisin 4 projekte infrastrukturore, Gjini: Fund spekulimeve për ndërtime në parkun e qytetit
Komuna e Gjakovës të enjten filloi katër projekte infrastrukturore dy prej të cilave janë në qytet, ndërsa dy të tjera në zonat rurale.
Në nisje të punimeve mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Ardian Gjini, cili tha se vlera në total e këtyre 4 projekteve është rreth 600 mijë euro.
Fillimisht, Gjini u ndal në rrugën me gjatësi prej 250 metra që do të shtrohet me kubëza në parkun e madh të qytetit e që lidh Gjimnazin “Hajdar Dushi” me rrugën transite.
Kreu komunal u shpreh se kjo do të jetë një rrugë e gjerë me trotuare, me shtigje të biçikletave, ndriçim dhe me gjelbërim anash. Ai tha ndërtimi i kësaj rruge i jep fund spekulimeve se këtu mund të ketë ndërtime të shumëkatësheve.
Gjithashtu, punimet kanë filluar edhe në aksin e parë të rrugës “Petro Nini Luarasi” që kap vlerën e 85 mijë eurove e që pritet të përfundojë pas 60 ditësh. Kjo rrugë e lidh qytetin me ngrohtoren e re dhe del në transitin e ri.
Aksi i dytë i kësaj rruge do të vazhdojë menjëherë pas kryerjes së këtij aksi pasi është i rëndësishëm për qarkullimin e automjeteve kur të nis puna për hyrje-daljet për Prizren ku do të rrënohet ura pranë rrethrrotullimit të policia.
Me rrugë do të bëhen edhe banorët e fshatit Novosellë e Epërme, përkundër asaj që punimet në këtë rrugë kanë filluar në vitin 2013. I pari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se ky projekt kap vlerën prej 88 mijë eurove.
Ai premtoi se brenda dy javësh do të vazhdohet edhe me një pjesë tjetër të rrugës që lidh fshatin Novosellë me Komunën e Deçanit. Ndërsa projekti i katërt infrastrukturor që nisi sot ishte rruga që lidh fshatin Dobilbare me Rezinen./radiogjakova/