.
Published On: Mon, Jun 5th, 2017

Nisin punimet në rrugën “Bujar Roka”

Share This
Tags

Kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës “Bujar Roka”. Ky projekt është vlerësuar si ndër më të mëdhatë e komunës së Gjakovës në vitet e fundit.

Projekti është ndarë në disa faza. Për fazën e parë jetësimi i së cilës ka nisur të hënën, kanë kontribuar organizata zvicerane “Demos” me 70% të shumës, kurse Komuna e Gjakovës me pjesën tjetër të mjeteve.

Në nisje të punimeve, mori pjesë edhe kryetarja e komunës, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se është shumë e lumtur sepse është investimi i parë serioz që nga periudha e paraluftës në infrastrukturën e komunës së Gjakovës dhe një nga investimet më të mira në kuptimin e standardit rrugor.

“Me këtë aks rrugor lidhet pjesa shumë e rëndësishme e qytetit të Gjakovës me zonën e parkut të Shkugëzës dhe i paraprijnë investimeve të tjera që urojnë të nisin më 2018 si uazën që do të lidhë të gjithë qarkun e qytetit dhe rajoneve të komunës së Gjakovës”, deklaroi Kusari-Lila.

Ndërtimi i kësaj rruge ka gëzuar edhe banorët që jetojnë në atë pjesë të qytetit. Sipas Besnik Bardhi ndërtimi i kësaj rruge ka qenë i domosdoshëm.

“Ky projekt është pritur prej një kohe shumë të gjatë. Me këtë investim pritet të marrin fund shumë probleme të kësaj zone si dhe do të zgjidhë problemet në qarkullim të afër 30 mijë banorëve të kësaj lagjeje”, u shpreh Bardhi./radiogjakova/