Një ditë e ngjeshur me takime për Kusari-Lilen
Gjakovë- Mimoza Kusari-Lila diten e hëne do ta nisë me homazhe në varrezat e dëshmorëve në varrezat e qytetit, në Çabrat dhe në Meje. Nderimet ajo ka planifikuar t’i bëjë para se të shkojë në objektin e Kuvendit të Komunës ku do ta presë Pal Lekaj.
Ky i fundit, në një ceremoni do ta bëjë dorëzimin e detyrës tek kryetarja e re, ashtu siç kishte bërë Aqif Shehu shtatë vite me parë të njejtën gjë me të. Pranim-dorëzimi i detyrës do të bëhet në oren 10:00.
Nga burime afër me kryetaren thuhet se asgjë nuk është organizuar, as ndonjë tubim me qytetarë, pasi ato janë lënë për daten 23 dhjetor, ditë kur Kusari-Lila do të betohet para asambleistëve komunal.
Axhenda e Kusari-Lilës për diten e hëne do vazhdojë me vizitë në Stacionin Policor në Gjakovë, ku do takohet me komandantin e këtij rajoni. Pastaj, në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare në një takim me udhëheqësit e këtij institucioni e më pas për të shkuar edhe tek Brigada e Zjarrëfikësve.
Nga ora 13:oo deri në oren 16:00, kryetarja e Gjakovës do vizitojë shkollat “Ganimete Tërbeshi” në Ponoshec, “Haxhi Hoti” në Rogovë dhe Gjimnazin “Hajdar Dushi” në qytet.
Në fund, Kusari-Lila do bëjë vizita në familjen Qerkezi e familje tjera, si dhe tek të moshuarit me aftësi të kufizuara./radiogjakova/