Nuk kalon propozimi për shfuqizimin e vendimit për heqjen e shpenzimeve të varrimit
U mbajt mbledhja e parë për këtë vit e Komitetit për Politikë dhe Financa të komunës së Gjakovës. Pika e cila ka ngjallur një debat të gjerë në këtë takim ka qenë propozimi për revokimin e vendimit të Kuvendit të Komunës për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e komunës.
Këtë propozim e ka prezantuar, Shkumbin Kastrati, drejtor i drejtorisë së Shërbimeve Publike, që tha se ka qenë edhe kërkesë e kryetarit Ardian Gjini.
“Gjatë vitit 2016 kemi pasur 160 raste, në vitin 2017 kishim 450 raste dhe në 2018 i kemi 68 raste, pra në total kemi 678 raste që kërkohet mbulimi i shpenzimeve të varrimit. Duke pasur parasysh obligimet e mbetura nga viti i kaluar dhe trendin e kërkesave, këtë vit Drejtoria e Financave duhej të planifikonte mjete buxhetore minimumi 200 mijë euro për të mbyllur vitin 2017 dhe 2018, por janë ndarë vetëm 22 mijë e 500 euro”, tha Kastrati.
Këtë propozim e ka mbështetur Florentina Gjergjaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ne kemi nevojë të dalim nga ky kolaps financiar, e shikoni se jemi Komunë kampione sa i përket borxheve. Prandaj jam ‘pro’ revokimit të këtij vendimi në mënyrë që mjetet të shkojnë në prioritetet e tjera që janë më emergjente”, u shpreh Gjergjaj.
Ndryshe kanë menduar pjesëtarët e opozitës. Kështu Bekim Ermeni nga LDK ka thënë se ky subjekt politik në Gjakovë nuk e përkrahë këtë propozim.
“Vullneti i asamblistëve të asaj kohe ka qenë që të merret ky vendim. Në parim ne jemi kundër pasi duke e hequr nuk po zgjidhim asgjë, obligimet prap mbesin, ndërsa njerëzit sërish do të aplikojnë”, deklaroi Ermeni.
Ndërkaq Diana Qarkaxhia nga Alernativa është shprehur se ka mënyra që kjo çështje të zgjidhet në të mirë të qytetarëve.
“Arsyet janë të shumta që ne nuk duhet të zhbëjmë këtë vendim. Është e vërtetë që ka të atillë që edhe pse i kanë kushtet sërish vijnë e aplikojnë, por ka raste kur njerëzit që nuk janë me asistencë sociale, por gjendjen e kanë të rënduar sepse janë me një pagë ose dy minimale ndërsa kanë shumë anëtarë në familje, dhe e ka të pamundur të mbulojë shpenzimet”, u shpreh Qarkaxhija.
Në fund me 4 vota pro dhe 5 kundër, ky propozim nuk u aprovua që të kalohet në diskutim në mbledhjen e radhës të Asamblesë Komunale./radiogjakova/